Nevil Dede nuk është më trajneri i Dinamos në Kategorinë e Parë. Pas humbjes me Tomorin në javën e fundit, dy ndeshjet "jo" dhe largimit nga vendi i parë, Blutë kanë marrë vendimin drastik për trajnerin dhe stafin e tij.
"FC Dinamo njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Nevil Dede. Tekniku 48-vjeçar dhe stafi i tij nuk do të jenë më në krye të pankinës blu pas marrëveshjes së dyanëshme të arritur mes palëve. FC Dinamo e falenderon trajnerin Dede për kontributin e dhënë gjatë këtyre muajve në stolin dinamovit dhe i uron suksese në vazhdimësi", njofton Dinamo.
Trajneri mori drejtimin e Dinamos në verën e 2022 dhe e drejtoi për 20 ndeshje, me një mesatare për 1.9 pikë për ndeshje. 48-vjeçari siguroi nëntë fitore, katër barazime dhe tre humbje në Kategorinë e Parë, teksa e drejtori skuadrën edhe në katër duele në Kupën e Shqipërisë. Pritet që Dinamo të prezantojë teknikun e ri për objektivin e njëjtë, Superligën. Dinamo pas javës së 17-të në Kategorinë e Parë mban vendin e tretë me 31 pikë.