Redon Dragoshi nuk është më futbollisti i Vllaznisë. 23-vjeçari ka luajtur vetëm pesë ndeshje këtë sezon, teksa u afrua në verë nga Kukësi dhe pas vetëm pesë muajve largohet nga shkodranët.
Mbrojtësi i djathtë kishte kontratë deri në verën e 2026 dhe gjithçka është zgjidhur me mirëkuptim, andaj lojtari është i lirë për të zgjedhur një tjetër ekip.
"KF Vllaznia njofton mbylljen me mirëkuptim të marrëveshjes me futbollistin Redon Dragoshi. Klubi e falenderon lojtarin për kontributin e dhënë për skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierën në vazhdim", njofton Vllaznia.
I dalë nga moshat e Dinamos, Dragoshi luajti edhe me Tiranën U-19 për të vijuar më pas me Erzenin, Luftëtarin dhe Kukësin. Ky është largimi i tretë nga shkodranët, me kuqeblutë që më herët ndërprenë kontratat me Darko Dodev dhe Konstantin Cheshmedjiev.