ANGLI - Trajneri Scott Parker është larguar nga Burnley me efekt të menjëhershëm pas rënies së klubit nga Premier League. Parker kishte qenë në diskutime me klubin për të ardhmen e tij pasi rënia e tyre në Championship u konfirmua javën e kaluar dhe u ra dakord me mirëkuptim të ndërsjellë që koha e 45-vjeçarit në 'Turf Moor' të mbaronte. Pjesë e Burnleyt është edhe Armando Broja.

Parker mori drejtimin e Burnleyt në korrik 2024, duke nënshkruar një kontratë tre vjeçare dhe i udhëhoqi ata në Premier League pasi ekipi fitoi promovimin në ligën më të lartë të futbollit në Angli. Parker ishte në krye të ekipit për 88 ndeshje.

"Ka qenë një privilegj të drejtoj këtë klub të madh gjatë dy viteve të fundit. Kam shijuar çdo moment të udhëtimit tonë së bashku, por mendoj se tani është koha e duhur që të dyja palët të lëvizin në një drejtim të ndryshëm. Reflektoj me shumë krenari për atë që arritëm gjatë kohës sime në klub, veçanërisht sezonin tonë të paharrueshëm të ngjitjes në Premier League dhe ishte një nder i vërtetë ta udhëhiqja këtë ekip në elitë", tha Parker.

Pritet të shihet nëse Armando Broja do të qëndrojë me klubin në Premier League, apo Burnley do ta nxjerrë në shitje sulmuesin e kombëtares shqiptare të futbollit.