Tashmë nuk ka më dyshime, ndeshja mes Milanit dhe Comos (Serie A) do të zhvillohet në Australi. Përballja është programuar më 8 shkurt 2026 dhe do të luhet në qytetin e Perth, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të futbollit italian.

Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga presidenti i Serie A, Ezio Maria Simonelli, gjatë zhvillimit të Superkupës së Italisë në Riad. Kreu i Serie A deklaroi se gjithçka është sipas planit për zhvillimin e ndeshjes në Australi.

“Do të luhet atje sipas planit. Unë dhe Gianni Infantino u takuam përzemërsisht dhe patëm disa shqetësime, veçanërisht për çështjen e arbitrave, pasi fillimisht ishin caktuar të huaj. Pierluigi Collina më dha garanci për arbitra aziatikë, pasi ka disa emra cilësorë për të rekomanduar. Do ta pranojmë këtë kusht dhe më pas do të finalizojmë pjesën tjetër", u shpreh Simonelli.

Presidenti i Serie A foli gjithashtu edhe për suksesin e Superkupës së Italisë në Arabinë Saudite, duke iu referuar veçanërisht ndeshjes mes Napoli dhe Milanit, e cila u zhvillua në Riad.

“Jemi shumë të kënaqur me suksesin e këtij kompeticioni dhe me procesin e ndërkombëtarizimit, i cili po jep fryte. Publiku këtu po bëhet gjithmonë e më i apasionuar”, shtoi ai.

Zhvillimi i ndeshjes Milan - Como në Australi pritet të jetë një moment historik për Serie A, duke rritur më tej ekspozimin global të futbollit italian.