Partizani ka njoftuar këtë të enjte shkarkimin e trajnerit Oltijon Kërnaja pas humbjes 2-1 në derbin kundër Tiranës të shtunën e kaluar. Klubi i kuq bën me dije se ka mbyllur bashkëpunimin me 37-vjeçarin pas rezultateve të fundit zhgënjyese. Partizani ka gjashtë ndeshje pa fitore, ndaj drejtuesit e kanë parë të udhës që të largojnë trajnerin edhe pse klubi është ende në garë për një vend në 'Final 4' pasi kanë mbetur edhe tre ndeshje nga fundi i sezonit. Deri në fundin e edicionit, ekipi do të drejtohet nga stafi teknik i mbetur, pjesë e të cilit është edhe drejtori sportiv, Agim Ibraimi.
"FK Partizani zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Oltijon Kërnaja. Largimi vjen pas rezultateve zhgënjyese që ekipi ka rregjistruar së fundmi çka ka kompromentuar ndjeshëm objektivat e klubit. Përgjatë pjesës së mbetur të këtij sezoni ekipi do të drejtohet nga stafi teknik aktual, pjesë e të cilit është edhe drejtori sportiv Agim Ibraimi", njofton Partizani.
I ulur në stolin e Partizanit më 7 tetor 2025, tropojani Kërnaja e ktheu ekipin brenda objektivave edhe pse nuk e mori skuadrën që në fillimin e sezonit. Kërnaja e drejtoi skuadrën në 28 ndeshje duke siguruar 13 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje.
Partizani e nisi sezonin me Mladen Milinkovic në stol, teksa serbi u shkarkua pas javës së gjashtë (humbja 0-3 në derbin kundër Tiranës). Fill pas tij në stol u emërua Kërnaja i cili deri në atë moment ishte ndihmësi i tij. Edhe trajneri tropojan nuk mundi ta mbyllte sezonin.
Me 45 pikë, Partizani mban vendin e pestë në Superligë, me pikë të barabarta me Dinamon që mbetet një pozicion më sipër dhe të dyja do garojnë deri në fund për një vend në 'Final 4', mini-turneun që të jep të drejtën për të garuar për titullin kampion. Ndeshja e fundit e këtij sezoni për Partizanin (java 36) do të jetë kundër Dinamos, që mund të rezultojë një finale për zonën 'Final 4'.
Komente








