Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi këtë të mërkurë rinovimin e kontratës me trajnerin e kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Junior (Sylvinho), si edhe me dy zëvendëstrajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior.
Kontrata e re e stafit teknik të Kombëtares do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.
Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, kombëtarja shqiptare ka shënuar progres duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën play-off të Botërorit 2026.
Në muajin mars, kuqezinjtë do të zhvillojnë një kapitull historik, duke u përballur në gjysmëfinalen e play-off-it me Poloninë, më 26 mars, ndërsa në rast kualifikimi, në finalen vendimtare do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi.
Sylvinho te Shqipëria
Braziliani Sylvinho u ul në stolin e Kombëtares më 2 janarin e vitit 2023 dhe në dhjetorin e vitit të shkuar i skadoi kontrata me FSHF-në. Tanimë me akordin e gjetur dhe "të zezën mbi të bardhë", stafi do vijojë punën me shpresën që verën e 2026 të jenë pjesë e turneut më të madh në botë për ekipet kombëtare, i cili zhvillohet në Amerikën e Veriut nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Sylvinho deri në këto momente e ka drejtuar Kombëtaren kuqezi në 32 ndeshje, nga të cilat ka arritur 15 fitore, 7 barazime dhe 10 humbje, duke qenë pjesë edhe e finaleve të Euro 2024 në Gjermani.
Komente









