Duke pranuar fillimisht barrën e tij të fajit, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka bërë një analizë evidentuese të shkaqeve që shumë qytete të vendit përmbyten masivisht dhe lehtësisht sa herë që shtohen reshjet e shiut.
Postimi i plotë:
Kush është fajtori?!
Ka një çorbë prononcimesh në rastin e përmbytjeve, duke shfrytëzuar gjithë talentin e bojatisjes me bojë të kujtdo për situatat që vijnë herë pas here! Por kush është fajtori? Jam unë? Po, jam! Është një tjetër? Po, është! Jemi ne? Po, jeni të gjithë! Por ka një radhë kjo punë, si për çdo gjë!
E para është krimi i batërdise së urbanizimit pa pikë kriteri të pas ’92! Padija dhe mosfunksionimi i projekteve urbanistike bënë që të dynden në fusha me ndërtime mbi kolektorë, kanale kulluese e vaditëse e ku i tekej kujtdo që donte një shtëpi në fushë! Shteti ku ishte? Shkrihej me injorancën e vet, gjoja të përmirësimit të jetesës së atyre që u shpërngulën në hesap të vet! Po kanalet e ujërave të zeza, të bardha, rrugët, energjia, shkolla, ambulanca?! As se vrau njeri radaken për këto! Fut e bjer, ndërto ku të duash! Dy shtëpia këtu, një atje përtej, katër të tjera mbi kanale!
E dyta, kanalet kulluese u lanë në ditë të kiametit, 30 vite pa prekur! As s’u bë një vlerësim se sa janë të bllokuara për shkak të ndërtimeve e sa janë eficente që duheshin hapur! As u mor ndonjë iniciativë për të vendosur rregull urban dhe orientuar zhvillimin! S’e bëmë asnjëri, dmth, me themel siç duhet!
E treta, investimet u bënë sipas një trajektoreje jo studimore që të eliminonin vërshimin e përrenjve! Nuk u pa pothuaj fare si opsion disiplinimi i këtyre prurjeve malore, me prita dhe devijime rrjedhjesh larg qendrave të banuara!
E katërta, ekspertët e zotë i nisën për në shtëpi. Nuk i duheshin askujt! Ca vdiqën të pavlerësuar! Ca jetojnë të papërfillur! Ca që erdhën, bënë shkolla me lekë e ku e di unë me çfarë, dhe s’kanë idenë si zgjidhen këto gjëra! As nuk duan të mësojnë!
Të gjithë kemi faj! Banorët që derdhën lekët e nuk menduan çfarë i pret, por që as s’ua tregoi kush! Shteti rrumpallë që i la të bënin si të donin! Ne që s’e gjejmë dot si zgjidhet ky lemsh që do e kemi në fyt rast pas rasti! Ky ka faj e unë s’kam faj, është një tymnajë që duhet t’ua kursejmë qytetarëve të gjithë ne! Të ulim kokën e të mendojmë çfarë mund të zgjidhim, sepse të gjithë e kemi vënë nga një tullë në këtë batërdi!
Unë për vete ndihem fajtor!








