Që nga viti 1996 shteti shqiptar ka parashikuar me ligj pensione shtesë për zyrtarët që mbajnë poste në institucione kushtetuese, por edhe zyrtarë të administratës shtetërore, ushtrisë, policisë. Kategoritë e përfituesve janë ndryshuar në vite, duke u fiksuar në fund të vitit 2016 me anë të Vendimeve përkatës të Këshillit të Ministrave, sikurse e lejon një gjë të tillë ligji.
Në tabelat e publikuara në këto faqe caktohen institucionet qendrore buxhetore, funksionarët dhe punonjësit e të cilëve njihen nga shteti si subjekte përfituese nga skema e sigurimit shtetëror suplementar. Po kështu, caktohen edhe funksionet kushtetuese dhe postet në administratën publike, ku vitet e kryera të punës do të njihen si vite shërbimi për efekt të përfitimit të pensioneve shtetërore suplementare.
Vite shërbimi, për efekt të përfitimeve sipas këtij ligji, për “personelin specialist” dhe “personat e barazuar me ta në funksion” do të njihen vitet e punës të kryera në një nga institucionet qendrore buxhetore. Me termin “personel specialist”, për efekt të përfitimit të pensioneve suplementare, do të kuptohen të gjithë punonjësit me arsim të lartë të nivelit ekzekutiv, pavarësisht nga profesioni, dhe që nuk kryejnë asnjë funksion drejtues.
Personave të punësuar në institucionet qendrore buxhetore, të cilët kanë paguar kontribute suplementare, pavarësisht ndryshimit të emërtimit të institucionit, e gjithë periudha për të cilën janë derdhur këto kontribute do t’u njihet si vjetërsi shërbimi.
Pagat dhe postet
Me termin “pagë referuese” kuptohet paga bruto e muajit të fundit që zbatohet për atë funksion apo detyrë në momentin e lindjes të së drejtës për përfitime shtetërore suplementare. Paga bruto llogaritet si shumë e elementeve përbërëse të saj, sipas strukturës së pagës, miratuar me aktin ligjor/nënligjor përkatës.
Në rastet kur në momentin e lindjes të së drejtës për përfitime suplementare, në aktet ligjore apo nënligjore përkatëse nuk ekziston institucioni dhe mungon funksioni/pozicioni/detyra dhe paga për atë funksion/pozicion/detyrë, paga referuese përcaktohet nga Departamenti i Administratës Publike, duke bërë njësimin e funksionit/pozicionit/detyrës, për të cilin nuk ka pagë, me funksione/pozicione të ngjashme.
Njehsimi i pagës referuese nga DAP-i bëhet duke marrë parasysh njehsimin e institucioneve për efekt page, si më poshtë vijon: “Deputetët e legjislaturës 1991–1992”, të cilët, në të njëjtën kohë, punonin në funksione dhe detyra të tjera, si pagë referuese do të kenë pagën referuese të deputetit, në momentin e daljes së tyre në pension; “Sekretarët e Shtetit”, në Kryeministri apo në ministritë e linjës, të cilët kanë qenë dekretuar si anëtarë të Këshillit të Ministrave, do të kenë pagën referuese të anëtarit të Këshillit të Ministrave; Pozicionet e punës në prokuroritë ushtarake të apelit, pa përfshirë punonjësit administrativë, për efekt të pagës referuese njehsohen me pozicionet homologe në gjykatën e rrethit gjyqësor; Funksioni/pozicioni “Kryetar i Këshillit të Rrethit” dhe “Kryetar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist”, njehsohen me funksionin e “Kryetarit të Bashkisë”; Pozicionet e punës në drejtoritë e përgjithshme të bankave të nivelit të dytë, nga “titullar institucioni” deri te “specialist”, njehsohen me pozicionet homologe të punës në drejtoritë e përgjithshme në varësi të ministrave të linjës të grupit të parë;
Pozicioni “Inspektor në Këshillin e Ministrave” njësohet rast pas rasti me pozicione të ngjashme në Kryeministri, duke gjykuar mbi përshkrimin e punës dhe në përputhje me strukturën dhe organikën e këtij institucioni; Pozicionet nga “Titullar institucioni” deri te “Specialist” në ish-Arbitrazhin e Shtetit, pa përfshirë degët në rrethe, njësohen me pozicionet homologe të institucioneve të pavarura; Pozicionet nga “titullar i institucionit” deri te “specialist” në ish-Komitetin e Shkencës dhe Teknologjisë njësohen me pozicionet homologe në ministritë e linjës.
Personat e interesuar paraqesin pranë DAP-it kërkesën për përcaktimin e pagës referuese të funksionit/pozicionit/detyrës, që do të shërbejë si bazë për përfitimin nga skema e sigurimeve shtetërore suplementare.
Masa e pensionit
Masa e pensionit suplementar për personat që kanë kryer funksione të përcaktuara në grupin e parë, shkronja “a”, nuk duhet të jetë më e madhe se 60 për qind dhe, për funksionet në grupin e parë, shkronja “b”, nuk duhet të jetë më e madhe se 50 për qind e pagës referuese të funksionit më të lartë. Në rastet kur personi, në varësi të periudhave të ushtrimit të funksioneve, përfiton pension suplementar nga të dyja grupet e sipërpërmendura, atëherë masa e përgjithshme e pensionit suplementar që do të marrë nuk mund të kalojë 60 për qind të pagës referuese të funksionit më të lartë.
Si përfitohet
Personat e interesuar për të përfituar pagesë kalimtare apo pensione shtetërore suplementare duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore, ku kanë qendrën e tyre të banimit, kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për këtë qëllim, si më poshtë vijon:
a) Për të përfituar pagesën kalimtare:
i) vërtetim nga qendra e punës për largimin nga funksioni a detyra;
ii) vërtetim për vitet e shërbimit në funksion apo detyrë;
iii) vërtetim për pagën referuese;
iv) deklaratë nëse është i punësuar dhe pagën që merr ose deklaratë që nuk është i punësuar;
v) vërtetim të gjendjes gjyqësore.
b) Për pensionet shtetërore suplementare:
i) vërtetim/e nga qendra/t e punës për funksionet a detyrat e kryera, për të cilat i lind e drejta për pension dhe vitet e shërbimit për funksionin a detyrën;
ii) vërtetimin/et e pagës për funksionin apo detyrën;
iii) vërtetim të gjendjes gjyqësore.
Institucionet që nuk janë më
Për personat që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjësit e administratës publike, institucionet e të cilave janë suprimuar apo nuk ekzistojnë më, dokumentacioni për vjetërsinë në shërbim do të plotësohet nga Arkiva Qendrore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në rastet kur institucionet, të cilat kanë marrë në administrim dokumentacionin e vjetërsisë në punë, nuk e kanë dorëzuar pranë organeve të sigurimeve shoqërore, ato janë përgjegjëse për plotësimin e tyre.
( Kliko këtu ) Lista e plotë me initucionet ku përfitohet pensioni suplementar