TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha për herë të parë dha llogari para SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit, ku 4 protestues u vranë në Bulevard më 2011-ën me plumbat që u derdhën nga Kryeministria. Edhe sot, pas gati 15 vitesh, ish-kryeministri Berisha i mbrojti vrasjet e 21 janarit, duke deklaruar para derës së SPAK se kush proteston në mënyrë të dhunshme edhe vritet.
“Për vrasjet duhet të ketë hetime. Thashë edhe njëherë. Por që kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme”, tha Berisha.
Për krimin shtetëror të 21 janarit, ende i pazbardhur, Berisha shkeli në ambientet e SPAK për të dhënë llogari vetëm sot, 19 nëntor 2025, pas manovrave me fletëthirrjen. ish-kryeministri u pyet për 2 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nga 3 oficerë të Policisë Gjyqësore dhe pasi doli nga ambientet e SPAK nuk kurseu sulmet ndaj drejtësisë së re të cilën e akuzoi se bën hetime politike, por edhe ndaj kryeprokurorit Altin Dumani.












