4 muaj më parë u shpreh se s'do kandidojë, PD cakton Mark Markun drejtues politik të Qarkut Lezhë

18 Janar 2021, 19:23 | Përditesimi: 18 Janar 2021, 19:39

Lulzim Basha ka vendosur Mark Markun si drejtues politik të Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës. Ky vendim ka ardhur pas një takimi që Basha pati me Markun ditën e shtunë në Selinë e PD-së.

Me Mark Markun PD zyrtarizon kështu drejtuesin në qarkun e gjashtë në vend, pasi vendimeve për Edi Palokën në Durrës, Gazment Bardhit në Elbasan, Helidon Bushatit në Shkodër, në Fier Enkelejd Alibeaj dhe në Vlorë Bujar Leskaj.

Ky kandidim i Mark Markut vjen pasi ai ishte anëtar në Komisionin për Rivlerësimin e kandidatëve të PD për deputetë. 4 muaj më parë, në Report Tv, Marku deklaroi se përcaktimi në këtë komision nuk nënkuptonte një rikthim në parti. Ai tha se në eksperiencën e tij të mëparshme si deputet nuk është ndier mirë, e për rrjedhojë nuk pretendon asnjë post pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

"Nuk është rikthim sepse e kam deklaruar me kohë që nuk kam asnjë ambicie, as për të qenë deputet, as në ndonjë pozicion të ardhshëm në pushtet. Pse? Sepse ndihem mirë kështu, siç jam. Mua në vetvete pushteti nuk më thotë kushedi se çfarë. Kam pasur një eksperiencë dhe nuk jam ndier mirë në atë lloj pozicioni. Kam shprehur qëndrimet e mia që dihen publikisht", deklaronte në emisionin "Pa protokoll" Mark Marku.

b.ha./Shqiptarja.com