A fitojmë nga mini-Shengeni ? Të ftuar Ornela Liperi dhe Bojken Abazi

24 Dhjetor 2019, 16:03 | Përditesimi i fundit: 2019-12-24 16:04:49

Ne po hapim dyert e shtëpisë, por e kemi bosh, nuk kemi asgjë dhe serbi do të vijë ta mbushë shtëpinë tonë me mallrat e veta dhe do e mbushë me ato që do, e imponon ai. Serbia është shumë më konkurruese se ne, dhe do të kemi një vërshim të mallrave serbe". Kështu deklaroi gazetarja Ornela Liperi e ftuar në studion e emisionit '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv për të analizuar pikat e dobëta dhe të forta të ekonomisë shqiptare në raport me vendet e rajonit me vendosjen në jetë të Shengenit Ballkanik, që pritet që të ndodhë vitin tjetër.

Liperi u shpreh se ekonomia shqiptare nuk është e përgatitur për një hapje të tillë të tregut, e para sepse vendet e tjera me përjashtim të vendit tonë janë shumë protektoniste, e dyta sepse vetëm me Kosovën kemi bilanc pozitiv tregtar dhe kjo e fundit nuk është pjesë e nismës. Nëse do të hapet tregu rajonal, ajo tha se mallrat serbe do të pushtojnë shtëpitë shqiptare, ndërsa ekonomia shqiptare është shumë e dobët dhe jo konkurruese.

TIRANË- Drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë,  Bojken Abazi, i ftuar në studion e Report Tv ka deklaruar se Kosova nën drejtimin e Albin Kurtit do të merrte pjesë në Mini- Shengen. Përballë gazetarit, Ilir Babaramo në '5 pyetjet nga Babaramo', Abazi argumentoi se duke marrë parasysh figurat që janë në krye të shtetit sot, duke filluar nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, është vendim i drejtë që ata nuk marrin pjesë, pasi "kanë shitur" me pazare vendin e tyre. Ndryshe nga ata, shprehet Abazi, Kurti në atë takim do i bënte disa gjëra ta qarta Serbisë, më kryesorja reciprocitetin.

"Kosova mungonte me të drejtë. Nuk kam besim te udhëheqësit aktual të Kosovës, Thaçi, Haradinaj. Tek Albin Kurti unë kam besim që do bënte një përfaqësim të denjë. Do bënte mirë të ishte dhe të bënte të qartë reciprocitet me Serbinë. Në Beograd (ku do të mbahet Samiti i radhës) nuk e di. Para se të shkojmë në Beograd, Albin Kurti dhe Rama duhet të bëjnë disa takime bashkë, për të parë disa interesa të përbashkëta. Rama ka vajtur shumë larg. Vajtja e tij në Beograd ku kërkoi njohjen e Pavarësisë së Kosovës, e mirë, por e pamjaftueshme. Nuk ka përmendur gratë e përdhunuar, viktimat e luftës, nuk ka folur për 22 miliardë euro që Serbia ia ka borxh Kosovës", tha Abazi.