Surpriza në zgjedhjet për kreun e PD/ Kandidon Agron Shehaj: Duhet vizion dhe drejtim i ri! Elezi: Vetëm dorëheqja e Bashës garanton shanse të barabarta! Tërhiqet ish-nënkryetari i FRPD

22 Maj 2021, 16:48 | Përditesimi: 22 Maj 2021, 16:50

Në ditën e fundit të regjistrimit të kandidatëve për kryetarë të Partisë Demokratike ka shpallur kandidaturën edhe Agron Shehaj, një emër i përfolur më parë por që nuk kishte shfaqur në asnjë moment ambicien për të qenë pjesë e kësaj gare. Shehaj bëhet kështu i katërti që zyrtarizon emrin e tij si kandidat për kryetar përballë Lulzim Bashës në Partinë Demokratike.

Ndërkohë që më herët Ibsen Elezi dorëzoi sot formularin e kandidimit pasi dje  e bënë këtë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, dhe vetë kryetari Basha. Ndërsa po sot është tërhequr nga kandidimi ish-nënkryetari i FRPD-së, Lisandër Hoxha.

Përmes një postimi në Facebook Shehaj shprehet se Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Sipas tij për këtë duhet një vizion dhe drejtim i ri dhe se ndryshimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.

Në prononcimin për mediat Ibsen Elezi tha se vetëm duke dhënë dorëheqjen Basha mund të garantohen kërkesat e statutit të PD për shanse të barabarta në zgjedhje.

"Këto janë elementë shumë të rëndësishëm që vlejnë për të gjithë strukturën e PD. Unë dua t'ju kujtoj të gjithë drejtuesve të strukturave që të administrohet një proces zgjedhor ku vota të konsiderohet e paprekshme. Në qoftë se edhe një rast i vetëm manipulimi ndodh do të ulë imazhin e Partisë Demokratike. Çdo kandidat duhet të ketë kontroll mbi procesin zgjedhor, ky është parim themelor", tha ai.

Ndërkohë që sot është tërhequr ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha me argumentimin se nuk dëshiron të legjitimojë një farsë, siç e quan ai të gjithë procesin zgjedhor brenda forcës së tij politike. 

Lulzim Basha ka dorëzuar zyrtarisht ditën e djeshme formularin e kandidimit për kreun e kësaj partie në zgjedhjet që do të mbahen më 13 qershor. Ashtu siç pritej Basha kërkon të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike, edhe pse shumë nga demokratët janë zhgënjyer me humbjet e njëpasnjëshme të tij qoftë në betejat polikë qoftë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, e ka cilësuar dje garën si asimetrike por ka garantuar se do të sfidojë kryetarin Basha me vlerat.

Në të njëjtën linjë ishte edhe prononcimi i ish-ministres së Jashtme Edith Harxhi. Ajo tha se gara nuk është e mbështetur në rregulla, teksa premtoi reformimin e Partisë Demokratike mbi vlerat e vitit 1990.

Ndërkohë që përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryesisë së kësaj partie, grupi “Për PD”, kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kryetarin në PD, e cila u vendos më 13 qershor në Këshillin Kombëtar, i cili u mbajt ditën e diel. Sipas tyre caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike.

Sot është afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave. Ndërsa nesër pritet të zyrtarizohen kandidaturat nga ana e Komisionit të Zgjedhjeve në PD.