Aktualitet Në 9 muaj 25 të vdekur në vendin e punës, 111 të plagosur! Kreu i Inspektoriatit të Punës për Report Tv: Problem shërbimi delivery, janë shtuar aksidentet

26 Shtator 2021, 14:55

Karafil Pupe, 56-vjeç, ra në kontakt me energjinë elektrike në një shtyllë të tensionit të lartë në Nepravishtë dhe humbi jetën. Ramazan Dika, 50 vjeç, sapo kishte nisur punën në kantierin e ndërtimit në një gropë pallati në Tiranë, kur i rrëshqiti këmba dhe përfundoi me dëme të rënda fizike. Këto janë vetëm dy prej 138 rasteve të aksidenteve në vendin e punës nga janari deri në shtator.

Nëntë muajt e parë të vitit 2021 po mbyllen me një bilanc prej 25 të vdekurish për shkak të aksidenteve në punë. Pjesa më e madhe e fataliteteve janë në disa sektor që nivelin e rriskut e kanë më të lartë, mes tyre ndërtimi, minierat, apo sektori i energjisë. Kreu i Inspektoriatit të Punës, Ardit Kaja, thotë për Report Tv se është ulur numri i humbjeve të jetëve në kantieret e ndërtimit.