Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov në fjalën e tij në takimin e thirrur nga ministrja Olta Xhaçka me trupin diplomatik, falënderoi Shqipërinë dhe gjithë perëndimin për mbështetjen.
"Jam i sigurt se të gjithë ju po i ndiqni nga afër ngjarjet në Ukrainë dhe keni shumë informacion, për të kuptuar të gjitha rreziqet jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën dhe botën. Por unë dua t’ju them atë çfarë nuk është në lajmet e para: ky është shpirti i popullit dhe ushtrisë ukrainase, që të bashkuar me presidentin po mbrojnë atdheun e tyre deri në fund. Nga dje, Presidenti i Ukrainës ka një mbështetje prej 90%. Ekonomia dhe sektori bankar veçanërisht, po funksionon siç duhet. Pavarësisht provokimeve, sistemet bazë të shtetit tonë të madh dhe sektori i energjisë po funksionojnë qëndrueshëm. Megjithatë, të paktën qindra mijëra ukrainas kanë lënë tashmë shtëpitë e tyre. Dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Moldavi, duke kaluar përmes pikave kufitare nga Ukraina në Poloni. Qytetarët tanë janë mirëpritur nga Sllovakia, Republika Çeke, Rumania dhe Hungaria. Qytetarët shqiptarë, gjithashtu kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për të pritur refugjatë ukrainas. Më 27 shkurt, BE diskutoi, ndër tema të tjera të rëndësishme, çështjen e zgjerimit të ndihmës për refugjatët e prekur nga konflikti në Ukrainë.
Rumania, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovenia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, i janë bashkuar vendeve, qeveritë e të cilave, kanë mbyllur tashmë hapësirën e tyre ajrore për transportuesit ajror rusë. Me ndihmën e qeverive të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të gjitha vendeve të tjera, të cilat, sipas ministrit të jashtëm Gjerman, e kanë mbuluar në 180 gradë. Ndihmë e madhe nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Suedia, mbështetje konstante nga fqinjët tanë të afërt: vendet baltike dhe Polonia. Do doja të nënvizoja faktin se dje më datë 28 shkurt, Presidenti Volodymyr Zelensky firmosi aplikimin për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Si ambasador i Ukrainës në Shqipëri, do doja të theksoja pozicionin e qeverisë shqiptare dhe personalisht të Kryeministrit Edi Rama, në mbështetje të Ukrainës. Falënderimet e mia, edhe për Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, për ju zonja Ministre Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi. Ne ju jemi mirënjohës të gjithëve për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj. Do të doja të përfitoja nga rasti t’ju kërkoj që t’i bëni kërkesa të mëtejshme qeverive tuaja, sepse mendoj se askush nuk ka dyshim se agresori mund të bindet aq lehtë. Bëni marshime drejt ambasadës së Federatës Ruse, vendosni embargo ndaj të gjitha importeve, promovoni maksimalisht zbatimin praktik të shkëputjes së Rusisë, nga sistemi bankar ndërkombëtar Sëift. Për Rusinë kjo do të thotë miliarda e miliarda humbje dhe përbën një çmim praktik të këtij pushtimi ndaj shtetit tonë", tha ai.