Dy artistë që pritën kryeministrin grek në Derviçan folën për gazetarin e Report Tv, Piro Nase duke thënë se Rama e mbajti premtimin. Njëri e ka patur shok klase dhe shprehet se është nder i madh për Shqipërinë që ka Ramën si artist dhe kryeministër.
“Me gëzim e presim. E prisnim prej kohësh. E prisnim dhe Edin. E takuam. Është miku jonë, kemi mbaruar Artet. Babain e tij e kisha profesor. Premtimin na e mbajti dhe ne e mbajmë. Ishte, është mik dhe ne do të vdesim miq. Kemi qenë kolegë, shokë shkolle dhe Edi na nderon që jemi artistë. Është nder i madh për Shqipërinë që Edi Rama është artist, përveç kryeministër”, tha artisti.
Ndërsa miku që e shoqëronte shprehet se e mban mend edhe vizitën e babait të Mitsotakis rreth 31 vite më parë kur vizitoi vendin tonë dhe ishte një ngjarje e madhe.
“Është kënaqësi se vizita në Derviçan nga 2 kryeministrat është ngjarje e jashtëzakonshme dhe Mitsotakis vjen pas shumë vitesh e viziton vendin tonë. E mbaj mend vizitën e babait të Mitsotakis, ishte ditë e jashtëzakonshme. Shumë njerëz, minoritarë nga Libohova, Lazarati, ishin vitet e vështira që njerëzit ishin të mbyllur dhe ishin ditë te para të hapjes. Ishte eveniment për atë kohë. Unë e mbajka mend shumë mirë çfarë jehone kishte ajo ditë. Kishte kaq shumë njerëz dhe ishte ngjarje e jashtëzakonshme”, tha ai.