Artisti i dritës Helidon Xhixha, 5 muaj ekspozitë në Rezidencën Italiane, kuratori Villata: Ai ka ripërcaktuar kufijtë e skulpturës bashkëkohore

23 Qershor 2021, 21:58

Për skulptorin Helidon Xhixha çeliku ka mbetur muza dhe materiali i tij kryesor. Relacionet që krijohen mes pasqyrave të çelikta dhe dritës janë një filozofi e rrallë e shumëfishimit në infinit të së bukurës dhe prekjes magjike në art, që rrallëkush mund ta zotëroj si ai.

Helidon Xhixha është një nga ata të rinj që iku nga Durrësi, qyteti ku lindi drejt Italisë me anijet e para në vitin 1991.

Në vendin mikëpritës, atij iu hap rruga për të shprehur talentin e tij të veçantë si skulptor. 

Helidoni pati trashëguar nga i ati, artisti i njohur Sali Xhixha, pasionin për artet, ndaj vendosi të studionte në Akademinë së Arteve të Bukura të Brera-s, ku zhvilloi teknikën dhe stilin e tij të veçantë, derisa arriti sukses e njohje ndërkombëtare.  

Në vitin 1998 fitoi një bursë studimi në Londër dhe atje pati rastin të punojë me materiale të reja, ndër të cilat edhe me çelikun e paoksidueshëm që u kthye më pas materiali i preferuar i tij për hulumtime të veçanta artistike. 

Helidon Xhixha është vlerësuar nga kritika si një nga skulptorët më interesantë në skenën e artit bashkëkohor.

Anselmo Villata, nënkryetari i kritikëve të artit botëror, ka ardhur në Shqipëri për të shoqëruar një nga ekspozitat më të mëdhaja të artistit Xhixha në vendlindje, si kurator i saj. 

Kuratori Villata ishte në Tiranë mbrëmjen e 15 qershorit, kur Rezidenca e Ambasadës së Italisë në Tiranë rihapi dyert e saj pas pandemisë Covid -19 për qytetarët, për të mirëpritur ekspozitën e parë antologjike të skulptorit të mirënjohur shqiparo-italian Helidon Xhixha. 

Për fat të keq skulptori sëmuret pikërisht në ditën e kësaj ngjarjeje simbolike, dhe nuk mundi të ishte i pranishëm, por si bashkëbiseduese të mira rrinin në pritje të vizitorëve këto vepra rrezëllitëse në çdo prekje syri. 

Aty ishte edhe kuratori Anselmo Villata, i cili plot dashuri dhe pasion u rrëfente vlerat e veprave të pranishëmve, që ishin ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci; Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj; ministrja e Kulturës, Elva Margariti e të tjerë organizatorë e pesonalitete të artit e të kulturës.

“Skupturat e tij janë të afta të vendosen kudo në harmoni me hapësirën. Ato shquhen për shenjën origjinale dhe konceptimin e ideve në materialet, duke kompozuar një marrëdhënie fantastike me dritën”, thotë Villata. 

Ky stil veprash me fokusin tematik e mesazhin filozofik, vitet e fundi ka pushtuar hapësirat publike në vende të ndryshme të botës, nga Milano në Londër, në Dubai, në Nju Jork e më gjerë, e vitet e fundit edhe sheshet publike në Shqipëri, siç është skulptura “Big Bang” në sheshin “Italia” që u vendos së afërmi, apo vepra e vendosur tek Zogu i Zi e të tjera në mjedise publike apo rezidenciale.

Gjatë kohës që punoi dhe jetoi në Itali veprat e Helidon Xhixhës u vlerësuan dhe u vendosën në parqet publike, dhe pas famës që morën, falë punës së madhe të skulptorit ato shkuan edhe në vende të tjera të botës. 

Së fundi ato vijnë në vendin e tij të lindjes, jo vetëm për t’u vendosur në parqe e oborre publike, por këtë herë me një ekspozitë të plotë si një simbol i miqësisë mes dy vendeve Shqipëri-Itali. 

Në valën e sukseseve në Itali më vitin 2015 Helidon Xhixha mori pjesë në Bienalen e 56-të të Venezia-s me një instalacion të titulluar Iceberg, që bëri për vete publikun dhe kritikën, duke marrë dhe shumë hapësirë nëpër media. 

Ajsbergu i madh është një paralajmërim mbi ngrohjen globale dhe ndikimin e saj të mundshëm në një vend si Venezia në të ardhmen e afërt.

Janë plot tridhejtë vite integrimi dhe suksesi të artistit shqiptar në Itali, ndaj me këto vepra Ambasada e Italisë në Tiranë kremton tridhjetë vite miqësi dhe solidaritet mes dy vendeve, që nga viti 1991, ku mbërritën në Itali dhjetëra mijëra shqiptarë, me anije e varka rasti, në brigjet e Puglia-s.  

Nëse ne do ta quanim spontanisht pjesën më të madhe të veprave të tij, “vepra e dritës”, do të dallojmë se Helidon Xhixha çelikun e lakon dhe modelon në mënyrë të atillë që sipërfaqet e veprave pasqyruese ta thithin dritën, ngjyrën e pastaj ta dyfishojnë atë dhe imazhet të shfaqen në lëvizje për të arritur tek vizitori apo udhëtari i rastit, një shprehje të pastër kënaqësie dhe admirimi. 

Kritiku italian Anselmo Villata rrëfen për report TV për vizionin e teknikave inovative të Xhixhës, të cilat përkthehen në një art publik monumental që ripërcakton marrëdhënien midis skulpturës dhe mjedisit që e rrethon.                                 

Dhurata Hamzai: Ju lutem, a mund të na tregoni ku fokusohet koncepti juaj kuratorial për të sjellë pikërisht koleksionin e këtyre veprave të kësaj ekspozite të Helidon Xhixhës në Shqipëri?

Anselmo Villata: Kjo ekspozitë është rezulatat i një udhëtimi të gjatë që vjen përmes eksperiencave të punës së artistit Helidon Xhixha. 

Koncepti vjen si rezultat i inspirimit të artistit Helidon Xhixha nga tematikat e kohës, nga vendi ku jetoi dhe vend i tij.  

Ekspozita që hapet sot vjen pas një studimi dhe eksplorimi të veprave që ka ngritur në të të gjitha vendet e botës, zhvillimet e ndryshme dhe diferencën që ka nisur të bëjë vepra e tij e ndërtuar me material çeliku.

Skulptori Helidon Xhixha është skulptor i dritës. Kjo është një kulturë pune shumë e ndryshme nga të tjerët. Ai luan me dritën dhe rrezet e saj dhe shpesh ai jep përmes tyre imazhe të ndryshme. Ai punon me materiale të ndryshme, me mermer, bronz, çelik, duke i përzier jo pak herë të gjitha bashkë.”                                          

Helidon Xhixha ka vendosur skulptura monumetale në qendrën historike të Matera, në ishullin San Servolo në lagunën veneciane, në Palazzo Madama në Torino, dhe në në Londër, ku ka marrë vlerësime të pazakonta. 

Katër vjet më parë në Firence është çelur një ekspozitë e madhe monografike kushtuar skulptorit bashkëkohor me origjinë shqiptare. 

I vlerësuar nga kritika, dhe i adhuruar nga publiku Helidon Xhixha nuk i ka reshtur sfidat, ai përpiqet të mos jetë thjesht një artist që gdhend materiale; por të punojë me to për të dhënë dritë. 

Dhurata Hamzai: Si nisi që të bëhej i njohur emri i artistit shqiptar Helidon Xhixha në Itali?

Anselmo Villata: Helidon Xhixha erdhi në një moshë shumë të re në Itali dhe nisi të eksprimentionte vazhdimisht rreth çdo mënyre të bërit të artit skulptural. Ai e studionte pareshtur hartimin e një vepre që t’i pëgjigjej konceptit të brendshëm të tij. Kështu ai arriti që në ditën e sotme të ketë një vepër shumë të veçantë dhe që bën diferencën nga artistët e tjerë. Dhe kjo ishte rruga që e bëri Helidon Xhixhën të arrinte drejt një kulture të re krijuese dhe të shquhej me këtë kulturë përmes stilit të tij.” 

Këto vepra prej çeliku inoks nxjerrin në dritë marrëdhënien e brendshme që ekziston midis veprës së artit dhe mjedisit që e rrethon.”

Dhurata Hamzai: Helidon Xhixha ka jetuar mes dy epokave të krijimtarisë, njëra që është krijimtaria gjatë komunizmit në Shqipëri dhe ajo e një sistemi tjetër në Itali. Si e keni konceptuar ju ndryshimin e artit mes këtyre vendeve, kur erdhët në Shqipëri?

Anselmo Villata: Po. Helidon Xhixha erdhi në Itali për më shumë liri, për lirinë e shprehjes si artist dhe gjithashtu si njeri. Për të ishte interesante që të bashkonte përvojat e dy kulturave, kulturës shqiptare dhe asaj italiane dhe sot ai ka arritur të nga ky bashkim kultuarsh të krijoj një art të ri që tejkalon kulturat e një vendi të caktuar, shumë të veçantë dhe në çdo kohë.

Aktualisht Helidon Xhixha jeton dhe punon midis Milanos dhe Dubait, por Italia është atdheu i tij i dytë, ku kritikët dhe specialistët e artist krenohen për të 

Dhurata Hamzai: Gjatë gjithë kohës shqiptarët e kanë admiruar artin italian dhe artistët e mirë të këtij vendi, por tashmë vjen një kohë që edhe publiku italian, institucionet apo kritika juaj admiron veprën e një artisti shqiptar. Mundet ju të na rrëfeni diçka rreth kësaj?

Anselmo Villata: Unë pëlqej të them se e dua artin mesdhetar.  Në të gjitha kohërat përgjatë bregdetit Adriatik ka pasur shkëmbime kulturash dhe jo vetëm shkëmbime ekonomike apo marketesh, dhe do të mjaftonte të kujtojmë historinë që na lidh që nga fillimi rreth shkëmbimeve kulturore të popullit ilir dhe romakëve apo edhe të epokës bizantine. Kanë qenë shkëmbime shumë të ngushta kulturore dhe unë them se do të vazhdojmë të ecim përpara me shkëmbime kulturore të përbashkëta mes nesh, ndërkohë që po lind një art i madh edhe nga fqinjët tanë, nga ju.

Skulpturat publike të Xhixha-s janë shfaqur në muze, panaire arti dhe ndërtesa qeveritare në të gjithë globin. Ai ka kontribuar me punën në Memorialin Kombëtar të 9 shatorit 2011 në Nju Jork dhe së fundmi po projekton punime për rezidencat luksoze në Miami. 

Veprat e tij shpesh janë teori politike utopike që sfidojnë epokën tonë të mbarsur me probleme, siç është vepra "Bliss", instalimi i konceptuar nga Xhixha që i përgjigjet në mënyrë simbolike një problemi aktual, çëshjes së kufijve mes vendeve të Europës. 

Dhurata Hamzai: A është e lidhur me temat aktuale vepra e Helidon Xhixhës?

Anselmo Villata: Skulptura e Helidon Xhixhës vjen në mënyrë të vazhdueshme në bashkëkohësi, si një reflektim mbi klasiken dhe distancimin prej modeleve të vjetra, në traditat e skupturës, ai kërkon dhe gjen shenja të reja në për gjuhën e shprehjes së saj, duke e lidhur me publikun e vërtetë dhe gjendjen shpirtërore të gjithsecilit. 

Skulptura e tij vjen e gjallë dhe aktive, ajo përfaqëson formën më të përparuar dhe aktuale të një stili unik. Rrugëtimi artistik i Helidon Xhixhës ka ripërcaktuar kufijtë e skulpturës bashkëkohore e do të vijojë të formojë vizionin tonë në vitet në vijim.

Skulpturat e Helidon Xhixhës lëshojnë reflektime të thella gjatë ndriçimit të dritës apo terrinës.  Drita zotëron duke çngjyrosur situatat e mjedisit. 

Kjo lloj skulpture posedon një element të atillë që e bën të  ngjashëm me një instrument muzikor që prodhon vibrime të tingullta drite, në çdo prekje sysh të këtij instrumenti. 

Përgjatë pesë muajve, prej datës 15 qershor e deri më 30 nëntor ekspozita e Helidon Xhixhës në Rezidencën e Italisë në Tiranë do të mund të vizitohet çdo të mërkurë. 

Arti i Helidon Xhixhës ndriçon tashmë Rezidencën Italiane dhe qendrën e Tiranës.  Efekti i befasisë do të na ndjek gjithmonë kur të rivizitojmë secilën nga veprat.