Saga e hakmarrjes mes dy fiseve Bardhi e Reçi në Rrëshen të Mirditës duket se po merr ende jete edhe pas ‘luftës’ prej afro 29 vitesh. I riu Kristian Marku, alias Kristi Bardhi, u ekzekutua mbrëmjen e 14 janarit teksa udhëtonte me makinë në drejtim te Vlorës. Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hakmarrja mes këtyre dy fiseve, ndërsa policia ka bastisur banesën e familjarëve të Kastriot Reçit në Rrëshen. 4 anëtarë të fisit Reçi janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në polici, por ata kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit.
I riu u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë pasditen e 14 janarit, ndërsa autorët që dyshohet se kanë qenë 3, sipas burimeve, i kanë zënë pritë në mbikalimin e Novoselës. Nga kjo pikë autorët e kanë ndjekur me makinë dhe më pas e qëlluan me një armë tip ‘Glock’, duke marrë 3 plumba në trup. Autorët dogjën mjetin tip ‘Golf’ pak metra larg vendit të ngjarjes dhe më pas dyshohet se janë larguar drejt Fierit. Mjeti i autorëve ka qenë me targa të vjedhura, ndërsa brenda tij nuk është gjetur arma e krimit.