Bashkëpunoi me gjyqtaren Enkelejda Hoxha për lirimin e Hekuran Billës, ILD: Të shkarkohet prokurori Bujar Memia!

12 Shkurt 2021, 12:26 | Përditesimi: 12 Shkurt 2021, 12:26

TIRANË- Nga dyshimet për korrupsion, nuk është prekur vetëm Gjykata e Krujës, por edhe Prokuroria e këtij qyteti. Protagoniste është sërish gjyqtarja e arrestuar, Enkelejda Hoxha, e cila i kishte shtrirë “tentakulat” e saj edhe në organin e akuzës, e më konkretisht te prokurori Bujar Memia. Bëhet fjalë për rastin e lirimit të Hekuran Billës.

Hoxha, në kundërshtim me ligjin, ka liruar Billën dhe përballë këtij vendimi, Memia heshti, duke mos apeluar vendimin. Nisur nga kjo, që në 15 qershor të 2020, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD), i ka dërguar një kërkesë Këshillit të Lartë të Prokurorisë që Memia të shkarkohej sa më parë, por kur kanë kaluar më shumë se 8 muaj, KLP nuk ka marrë asnjë vendim. Seanca u caktua vetëm ditën e sotme, pasi plasi skandali në Gjykatën e Krujës. Ajo u caktua më 15 mars.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe me kërkesën e ILD-së ndaj KLGJ, për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Kërkesa ishte bërë 4 muaj më parë, por për të nuk ka pasur një vendim, edhe pse kanë kaluar shumë kohë.Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka siguruar kërkesën e ILD-së për KLP, lidhur me shkarkimin e Bujar Memias, për të cilin rendisin 34 vendime që prokurori ka shkelur ligjin. Më konkretisht bëhet fjalë për ‘Njohje e ditëve të paraburgimit për të dënuarit jashtë shtetit’ dhe për  ‘Përfitim amnistie’.

Kërkesa e ILD-së për KLP, lidhur me shkarkimin e prokurorit Bujar Memia
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur më datë 15.06.2020 verifikimin e fakteve të bëra publike nga media elektronike dhe ajo e shkruar gjatë transmetimit të lajmit për vrasjen në datën 11.06.2020 të shtetasit Hekuran Billa, mbi gjendjen gjyqësore të këtij shtetasi me burgim të përjetshëm nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, si dhe njohja e këtyre vendimeve nga ana e autoriteve gjyqësore shqiptare.  Pas verifikimit të të dhënave shtesë të administruara nga Gjykata Rrethit Gjyqësor Krujë apo gjykatave të tjera lidhur me proceset gjyqësore të zhvilluara për rastet e paraqitura në media,  më datë 16.07.2020, Inspektori i Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë për magjistratin Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në raport me faktet e provuara gjatë hetimit hetimi disiplinor dhe pas një vlerësimi të hollësishëm të çdo prove veçmas dhe të gjitha provave së bashku, konstatohet se nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor Bujar Memia janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me: 
-    Mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit.
-    Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit dhe mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin.
-    Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit, mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor.
-    Mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal.

b.ha./Shqiptarja.com