Berisha ‘non grata’, Rama për VOA: S’ka më asnjë monument të parrëzueshëm të së shkuarës së korrupsionit! Zgjatja e Vettingut, s'besoj se opozita do mungojë në bashkëpunim

25 Shtator 2021, 20:54

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaron se në mandatin e tretë të qeverisë së tij ka shumë gjëra që mund të bëhen ndryshe. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Rama flet dhe për vendimin e Departamentit të Shtetit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe faktin pse ka zgjedhur të heshtë rreth kësaj çështjeje. Rama është shprehur se ky vendim është fakt dhe nuk ka nevojë për komente, por që shtoi se tashmë “Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe se nuk ka më asnjë monument të parrëzueshëm të të shkuarës së korrupsionit dhe të pengimit të demokracisë”.

Marrëdhëniet me Kosovën, ku ai do të jetë të hënën për vizitë,  zgjatja e mandatit të institucioneve të Vettingut, debati dhe mbi krijimin e Agjencisë për Media janë disa nga temat e tjera për të cilat Rama shprehet gjatë intervistës e cila u zhvillua të premten pas fjalës që kryeministri i Shqipërisë mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New York