Berisha para gazetarëve: Ne duhet të bëjmë aleancë për të bërë transparencë të vjedhjes së ministrave, i ka kapur tmerri

23 Maj 2022, 13:06

Pas debatit me Elisa Spiropali, Sali Berisha është larguar nga Kuvendi dhe ka folur para gazetarëve jashtë duke përsëritur se ministrja i jep tendera vëllait. Ndër të tjera i bëri thirrje gazetarëve që të bëhen bashkë për të zbuluar vjedhjen e ministrave, të cilët thotë se i ka kapur frika dhe tmerri.

"Situata në Parlament është e sëmurë. I ka detyruar Rama të bëjnë sikur raportojnë nga terreni. Kjo Spiropali, një e dy ngrihet. Shkoni lexoni tenderat e bashkëshortit të Spiropalit, ia jep vëllait të saj. Po ka vjedhje më të hapur se tenderi publik i jepet kunatit, i jepet vëllait të gruas. Kemi të bëjmë një grup njerëzish që kanë humbur çdo moral e ndjesi për qytetarët që i vjedhin e plaçkitin dhe është e tëra pse mediat janë në këtë gjendje. Ne duhet të bëjmë një aleancë ku secila palë respekton pavarësinë, por një aleancë për të bërë transparencë të plotë të vjedhjes së ministrave. Të vijojmë betejë për transparencë se ju garantoj që këta i kanë kohërat e shkurtra, i ka kapur frika dhe tmerri. A ju kujtohet Rama se kam vjedh në mandatin e parë, ai vjedh çdo ditë dhe çdo mandat", tha Berisha.

I pyetur se si ndihet që nuk e ka uruar asnjë ndërkombëtar për fitoren në krye të PD, Berisha u përgjigj duke thënë: "Ku e di ti" dhe u largua duke qeshur. Ndonëse mund të ketë marrë mesazhe privatisht, asnjë mesazh publik i ndërkombëtarëve nuk ka shkuar në adresë të Berishës për fitoren përballë Ibsen Elezit.