Brataj: Ditët e fundit ulje e rasteve COVID, një javë më parë mendohej ashpërsim i masave! Votimi në 25 prill, do ndjekim modelet e vendeve të tjera

25 Shkurt 2021, 18:17 | Përditesimi i fundit: 2021-02-25 18:23:02

Masat izoluese të vendosura dy javë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj kanë dhënë efekte pozitive gjatë ditëve të fundit. Në një intervistë në Report Tv, Brataj u shpreh se kjo ulje është regjistruar 4-5 ditët e fundit. Ai u shpreh se përpara një jave mendohej një ashpërsim i masave por ulja e lehtë e shifrave ka sjellë vendimin për lënien në fuqi të kufizimeve aktuale.

“Marrja e masave bëhet sipas kushteve epidemiologjike të infeksionit. Në fillimin e javës së parë pati një rritje të infektimeve e viktimave nga COVID. Rezultatet e një mase do japin efekt pas dy apo tre jave. Numri i të infektuarve është i qëndruyeshëm. Janë tregues stabël. Ato masa që morëm përpara dy javësh ka dhënë rezultatin e vetë. Janë masa që vendosen të vazhdojnë por nuk përjashtohet që monitorimi të ndryshojë për masat që paraqiten. Përpara 4-5 ditësh u pa që mund të kishim një shtrëngim të masave por me ditët e fundit kemi parë një ulje të lehtë të numrit të të infektuarve. Kjo masë e fundit do japë akoma më shumë rezultate. Ne kishim nga data 6 shkurt mbi 1100 të infektuar ndërsa tani kemi tek 1020. Janë disa ditë që tregojnë një ulje. Shtrimet në spital, kemi një indeks mujor ose ditor dhe kemi një numër negative ose pozitiv. Në fillim të javës kemi pasur plus 40 ndërsa këto ditë kemi pasur minus 8 që do të thotë më shumë kanë dalë se sa janë shtruar” – tha Brataj.