Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë raportimit në dy komisionet parlamentare, për veprimtarinë e KQZ-së, përsëriti sërish se i qëndron raportit të OSBE/ODIHR sa i përket zgjedhjeve të 11 majit. Ai tha se bashkëpunimi me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë sukses dhe se ka kontribuuar në mënyrë pozitive në procesin e zgjedhjeve të këtij viti.
Duke u ndalur te identifikimi elektronik, ai e vlerësoi si të suksesshëm teksa tha se në vitin 2021 ka pasur 10 mijë raste dublikimi, një shifër që tani është ulur në 1 mijë. Edhe votimin nga jashtë e konsideroi si sukses, ndërsa tha se “nuk dua që të sfidoj kënd, kur them se votimi nga jashtë ishte një sukses”.












