Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Në shtypin e shkruar të datës 21 mars 1996 pasqyrohej gjerësisht takimi i Presidentit Berisha me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve. Koha Jonë gazetë e pavarur shkruan : “Tryezë presidenciale dhe debat i ashpër” ndërsa në Gazetën Shqiptare sqarohej se në zgjedhje mund të shkohet në muajin qershor por “vulën” do ta vërë Presidenti. Mediat zbulonin edhe për një debat të ashpër mes Sali Berishës dhe Servet Pëllumbit. Edhe botimet politike ZP dhe RD e kishin në vëmendje të zhvillimeve të tyre këtë takim. Megjithëse propozimet e partive ishin për fillimin e qershorit këto zgjedhje do të mbaheshin më 26 maj e do të ishin shumë kontestuara e të pasuara nga dhuna e pushtetit ndaj opozitës socialiste.





















