Çfarë shkruanin gazetat më 28 nëntor 1995/Kasacioni rrëzon Apelin e lë Nanon në burg një vit më shumë, lideri i PS në Bënçë edhe 3 vjet e 6 muaj

28 Nëntor, 09:42 | Përditesimi: 28 Nëntor, 14:43

Më 3 prill 1994 Fatos Nano lideri i socialistëve u dënua me 12 vite burg për korrupsion dhe abuzim të dyshuar me menaxhimin e ndihmës humanitare që dha Italia për Shqipërinë gjatë krizës ekonomike në vitet 1990-1992. Nano e kundërshtoi këtë vendim dhe Gjykata e Apelit e uli dënimin me një vit. Por kreu i PS nuk u ndal me kaq dhe e dërgoi çështjen në gjykatën më të lartë në vend në atë të Kasacionit. Kjo gjykatë e rrëzoi vendimin e Apelit dhe la në fuqi vendimin e shkallë së parë. Nga avokati i tij ishte qëndrimi se Fatos Nanon  e burgosi politika dhe ajo do e lirojë. Pikërisht ky vendim i Gjykatës së Kasacionit që detyronte Nanon të bënte edhe një vit më shumë burg  ishte titulli kryesor në shtypin e shkruar të datës 28 nëntor 1995. Gazeta Shqiptare shkruan: “ Nano në burg një vit më shumë” duke bërë edhe llogarinë se liderit socialist i mbeten për të kaluar në Bënçë të Tepelenës ku vuante dënimin edhe 3 vjet e 6 muaj.Edhe në gazetën Koha Jonë shkruhet: “ Nano, edhe një vit më shumë në burg” ndërsa në ZP botimin e Partisë Socialiste në kryeartikull shkruhej: “ Nano do të jetë i lirë kur të jetë mundur padrejtësia”. Fatos Nano nga burgu doli gjatë trazirave të 97-të dhe në 1999-tën Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm.
 

K.Ta/Shqiptarja.com