Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Viti 1997-të mbahet mend sot e kësaj dite nga të gjithë shqiptarët si viti i mbrapshtë kryesisht për atë që ndodhi në vend gjatë muajit mars. Rënia e firmave piramidale solli në vend e kryesisht në jug një situatë më shumë se kaotike , revoltë ndaj qeverisë e Presidentit të kohës Berisha dhe gati një “luftë civile”. Në ditët e para të muajit mars pas rënies së firmave piramidale Presidenti i kohës Berisha shkarkoi qeverinë Meksi, u rizgjodh vet për një tjetër mandat mes kontestimeve të mëdha dhe në jug nisën revolta dhe pati jetë të humbura. Redaksia e gazetës Koha Jonë u dogj dhe kreu i SHIK-ut të asaj kohe Bashkim Gazidede censuroi shtypin. Për këtë arsye më 9 mars të vitit 1997-të në botim ishte vetëm RD(Rilindja Demokratike) botimi i PD-së dhe asnjë gazetë tjetër. Ish-kancelari austriak Franz Vranicki kishte ardhur në Shqipëri në krye të një delegacioni të OSBE për të zgjidhur krizën. RD pasqyronte takimin e tij me Presidentin Berisha dhe ultimatumin e tij që “ T’i jepet fund dhunës në jug”.





















