Çfarë shkruanin gazetat më 16 mars '96/ Në prag të zgjedhjeve kaotike të 26 majit, Kongresi amerikan i shqetësuar se nën qeverisjen e PD po shkelen të drejtat e njeriut, ka presion mbi shtypin

16 Mars, 08:14 | Përditesimi: 16 Mars, 09:48

Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.

 

Më 16 mars të vitit 1996-të në shtypin e ditës pasqyrohej me detaje një mbledhje në Kongresin amerikan ku kishte një shqetësim të madh për situatën në Shqipëri. Vendi ishte në prag të zgjedhjeve kaotike të 26 majit dhe PD ishte në fund të mandatit të parë qeverisës. Koha Jonë pasqyron qëndrimet e kongresmënëve se në nën qeverisjen e PD demokratizimi po rrëshqiste prapa dhe se në vend po shkelen të drejtat e njeriut, ka presion mbi shtypin dhe ka kufizim të lirisë së shprehjes. I njëti argument vinte edhe si kryeartikull edhe në ZP(Zërin e Popullit) organin e Partisë Socialiste. Në RD(Rilindjen Demokratike) botimin e PD në pushtet në atë periudhë pasqyrohej konferenca e drejtuesve të partisë që akuzonin rivalët politikë. Ndërsa në Gazetën Shqiptare si lajm kryesor ishte një qëndrim i kryeparlamentarit të kohës Pjetër Arbnori se e vetmja mënyrë për të votuar emigrantët më 26 maj në zgjedhjet parlamenatre ishte të ktheheshin në Shqipëri.

 

A.M/Shqiptarja.com