Dita e Rinisë, Veliaj: Zemra e Tiranës e hapur për të rinjtë! Jemi pak për t’u përçarë, s'shkon të jemi kamikazë të partive politike në vitin 2021

8 Dhjetor 2021, 15:27

Tirana përkujtoi dhe festoi sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Tirana është gati të marrë stafetën e Kryeqytetit Europian të Rinisë për vitin 2022, ku nuk do të mungojë edhe mbështetja për projektet rinore.

“Tirana do të jetë jo vetëm një hapësirë për çunat dhe gocat e Tiranës, por një hapësirë për të gjithë çunat dhe gocat e rajonit, për t’ju thënë se Ballkani i hapur dhe një shtëpi e hapur është zemra që ofron Tirana për secilin prej jush. Tirana është në Ballkan, e di që mezi tolerohet diçka e bukur e asnjë nuk ta fal suksesin kaq kollaj, sidomos në politikë, por e vërteta është se ne ia dolëm e, pavarësisht stërkëmbëshave, jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë. Sot jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që na janë bashkuar nga qeveria e Shqipërisë, një qeveri e cila ka bërë shumë këto 8 vite, por më vjen mirë që jemi bërë të gjithë bashkë, qeveria lokale, qeveria qendrore, për t’u siguruar që do t’i kushtojmë një vit të tërë komunikimit, inkurajimit, financimit dhe dedikimit të projekteve rinore si kurrë më parë në këto 31 vjet”, nënvizoi Veliaj.