Djali i çiftit shqiptar të vrarë në Itali/ Autoritetet italiane zbulojnë ku ndodhet Taulant Pasho: Në burg në Zvicër prej 2 muajsh

17 Dhjetor 2020, 20:02

Taulant Pasho, djali i çiftit shqiptar Shpëtim dhe Teuta Pasho, trupat e të cilëve u gjetën të masakruar në Itali, është në burg. Ai aktualisht po mbahet në Zvicër, në Aargau, nga 16 tetori 2020 për vjedhje.

Mediat italiane zbulojnë se Pasho në Itali duhej të vuante një dënim për vepra të lidhura me trafikun e drogës. Prokuroria në Firence ka kërkuar që urdhri përfundimtar i burgimit kundër Pasho Taulant të jetë i vlefshëm edhe në një nivel ndërkombëtar. Ai duhet të vuajë 3 vjet dhe afërsisht 11 muaj burgim.

Taulanti Pasho është pika kyçe që mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj vrasje, sepse ai është ndoshta personi i fundit ose një nga të fundit që ka takuar prindërit e tij. Sipas hetuesve, ai mund të jetë çelësi për të zbuluar misterin e vdekjes së prindërve të tij që mbërritën nga Shqipëria për ta takuar dhe u zhdukën në të njëjtën ditë kur djali i tyre u kthye si i lirë.

Sot Nënkolonel Carmine Rosciano, komandant i departamentit operativ të Karabinierëve në Firence ka krijuar skemën që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të motiveve të vrasjes.

Shpëtim dhe Teuta Pasho u gjetën të masakruar pardje në 3 valixhe, ndërkohë që një ditë më vonë u gjet edhe e katërta me pjesët e tjera të trupave.