Dorëzohet në KQZ tërheqja nga marrja e detyrës së Valdrin Pjetrit...çfarë do ndodhë me Shkodrën?

20 Gusht 2019, 14:30

TIRANË-Dy ditë para se të konstituohej Këshilli Bashkiak i Shkodrës, mësohet se është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tërheqja nga marrja e detyrës së Valdrin Pjetrit. Do të jetë ky institucion që do të shqyrtojë kërkesën për të shpallur pavlefshmërinë e mandatit të Pjetrit si kandidati fitues në zgjedhjet e 30 qershorit.

Megjithatë se çfarë do të ndodhë në këtë Bashki mbetet një enigmë, pasi në kushte normale presidenti Ilir Meta do të duhet që të dekretonte një datë të re zgjedhjesh në Shkodër, por është konfirmuar se kjo gjë nuk do të ndodh. Kreu i shtetit ka këmbëngulur se zgjedhjet në Shkodër, ashtu si kurse edhe në Bashkitë e tjera të vendit do të zhvillohen në 13 tetor. Ai nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit, e për rrjedhojë as Valdrin Pjetrin si fitues të këtyre zgjedhjeve.

Sa i përket hetimeve mbi pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, bëhet e ditur se ky i fundit ka dhënë shenjat e gishtërinjve në Institutin e Policisë Shkencor në Shkodër, në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe pritet që të bëhet krahasimi me shenjat e gishtërinjve që do të mbërrijnë nga autoritetet italiane.

Tërheqja e tij erdhi pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike e cila publikoi dokumente që vërtetonin se Pjetri ka qenë i dënuar me burg për drogë në vitin 2003, dënim për të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Shkodra vijon të drejtohet nga kryetarja aktuale Voltana Ademi, por me një Këshill Bashkiak me shumicë socialiste i cili u konstituua mes tensioneve mesditën e së hënës.

    No videos found.