Gjykata e Lartë ka marrë sot vendimin që, kërkesën e prokurorit Klodian Braho për të çelur procesin për dosjen e njohur si Gërdeci, që ka qenë e pushuar vetëm për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, të shkojë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Gazetari i "Report TV", Arsen Rusta bën me dije se Gjykata e Lartë ka shpallur moskompetencë dhe është GJKKO që duhet të japë një vendim nëse duhet të mbetet i pushuar procesi ndaj Mediut, duhet të rihapet nëse ka prova të reja apo nëse do ta arkivojnë.
Brenda qershorit, maksimumi deri në mes të korrikut, GJKKO pritet të ketë një vendim pasi është e detyruar ta shqyrtojë këtë çështje të deleguar nga Gjykata e Lartë.
Gjyqtarët që morën vendimin për kalimin e çështjes GJKKO ishin Ilir Panda, që u caktua sot relator i çështjes në Gjykatën e Lartë, Albana Boksi dhe Klodian Kurushi.
Kërkesa në Gjykatën e Lartë për rihapjen e çështjes kundër ish-ministrit të Mbrojtjes në atë periudhë Fatmir Mediut u bë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas SPAK, pas depozitimit të kërkesës së familjes Durdaj, të cilët humbën djalin 7-vjeçar, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore që të rihapet procesi gjyqësor për Mediun.
SPAK evidentoi në kërkesë faktin se në vitin 2009 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e procedimit ndaj Mediut për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdonte sepse me rizgjedhjen në Kuvend kishte imunitet parlamentar. Por me ndryshimet kushtetuese të vitit 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.





















