Dosjet 978, 339, dhe 184 / Pjesa e parë

23 Maj 2019, 10:03

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka shpjeguar në emisionin "Repolitix" në Report Tv, pëgjimet në dosjen 978 kundër Kastriot Ismailajt, të nisura në vitin 2008, në të cilat ka dalë edhe përfshirja e Presidentit Ilir Meta, në atë kohë, në opozitë, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Një njeri me imunitet siç ishte Ilir Meta, nuk lejohej të përgjohej, dhe oficeri i Policisë Gjyqësore në dosjen e Prokurorisë, thotë se nga përgjimet për biznesmenin Ismailaj nën akuzë për pastrim parash në vlera 7-8 milionë dollarë, ka dalë i përfshirë edhe një person i ekspozuar politikisht. Numri që ka dalë në përgjimet ndaj Kastriot Ismailajt, në atë kohë ishte në përdorim nga Ilir Meta, (0682031701) ndërsa aktualisht nuk përdoret më prej tij, pasi Presidenti ka ndërruar numër.

Përgjimi mban datën 22 qershor 2009, dy ditë para zgjedhjeve. Sipas përgjimeve, të cilat edhe pse janë asgjësuar, disponohen nga gazetari Hoxha, Kastriot Ismailaj ishte kontaktuar nga Ilir Meta, i cili i kishte kërkuar 200 mijë euro. "Nesër në darkë (më 23 qershor), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro", thuhet në mesazhin dërguar nga numri i Ilir Metës drejt Kastriot Ismailajt.

Sipas gazetarit investigativ, bëhet fjalë për një dosje me 8 mijë faqe të transkiptuara, ku pikërisht nga kjo dosje e madhe ka dalë edhe në biseda të tjera, përfshirja e Ilir Metës, jo vetëm me mesazhe por edhe me biseda telefonike.

Dosja në fjalë, u pushua në vitin 2010 dhe u rihap pas 5 vitesh, në 2015-ën, dhe të gjitha përgjimet e traskiptuara dhe disqet janë asgjësuar me një vendim gjykate në 27 dhjetor 2010. Me rihapjen e dosjes, përgjimet ku përfshihej edhe Meta nuk u morën në konsideratë si prova për shkak të vendimit për asgjësimin e tyre.

Ajo që bie në sy, është fakti se dosja është pushuar menjëherë pas ardhjes në pushtet të Ilir Metës, që në atë kohë bëri aleancë me Partinë Demokratike pas zgjedhjeve, me kryeministër Sali Berishën.