Kur mbeten edhe 6 kuti për tu numëruar, në bashkinë e Durrësit, partia Socialiste me kandidate Emirjana Sako, po fiton bindshëm.
Në Bashkinë Durrës janë numëruar 335 kuti nga 337 qendra votimi gjithsej. Emirjana Sako e Partisë Socialiste kryeson bindshëm me 58 % të votave gjithsej. Ajo ka marrë deri tani 38,991 vota. Krahasuar me zgjedhjet e vetëm një viti më parë Partia Socialiste ka përmirësuar rezultatin e saj duke u rritur me gati 8% të votave.
Ardian Muka i 'Shtëpisë së Lirisë' renditet i dytë me 38,991 vota, ose 23.6 % të votave. Ndërsa i treti kandidati i Lulzim Bashës, Luan Hoti me vetëm 8,029 ose rreth 12%. Partia Demokratike ka një rënie me gati 29% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, duke e bërë një disfatë shumë të dhimbshme këto zgjedhje në një bashki shumë të rëndësishme si Durrësi.
Kur procesi i numërimit është duke shkuar drejt fundit, kandidatja e Partisë Socialiste, Emiriana Sako, ka shpallur fitoren me anë të një postimi në Facebook.
'Falenderoj të gjithë qytetarët e Durrësit për besimin e dhënë për të vazhduar punën për transformimin e qytetit. Kjo fitore është një përgjegjësi e madhe që më jep privilegjin ti shërbej me përkushtim e pasion qytetit dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit.'- shkruan Sako.