DURRËS- Sërish drogë në Portin e Durrësit dhe sërish është e njëjta kompani, "Alba Exotic Fruit". Edhe pse menaxheri i saj Barjon Gumeni është në burg, ndërsa administratori i firmës Eduart Dauti, është në kërkim, trafiku i drogës ka vijuar, ku vetëm sot janë kapur 10 kilogramë e 185 gramë lëndë. Në dy nga konteinerët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, u gjetën 10 kilogramë e 185 gramë kokainë, e cila nga sa mësohet ishte fshehur në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë, një skemë e përdorur edhe më herët nga "Alba Exotic Fruit". Për këtë sasi droge të kapur sot është vënë në pranga administratori i ri i kësaj firme, Ermal Arapi.
Kjo kapje për herë të gjashtë të kësaj sasie të kokainës përbën një skandal edhe për institucionet ligjzbatuese që nuk marrin masa me bllokim të aktivitetit të kompanisë. Një kompani e cila çdo një muaj i vjen bashkë me bananet edhe kokaina si ka mundësi që vijon normalisht punën. Kompania e cila menaxherin e ka në burg, një administrator në arrati, dhe nga sot një tjetër administrator në burg, kush e porosit sasinë e drogës? E gjithë kjo histori ka shumë të paqarta dhe më e paqartë është pse SPAK nuk e sekuestron kompaninë?