Dy këlyshë tigri të rrallë lindin në Teksas, pamjet e tyre të para magjepsin vizitorët

4 Tetor, 17:32 | Përditesimi: 4 Tetor, 17:32

 

Dy këlyshë të vegjël të tigrit sumatran, një nga speciet më të rrezikuara në botë, kanë ardhur në jetë në kopshtin zoologjik Fort Worth në Teksas. Të quajtura Barani dhe Malu, dy motrat lindën më 1 korrik dhe tashmë, në moshën 12-javëshe, po rriten shëndetshëm nën kujdesin e nënës së tyre, Ndari. Në ditët e para të jetës, këlyshët ishin vetëm pak kilogramë dhe rreth 30 centimetra të gjatë. Sot, njëra peshon rreth 8 kilogramë, ndërsa tjetra afro 9 kilogramë dhe kanë arritur deri në 74 centimetra gjatësi. Pamjet e tyre kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve, ndërsa kopshti zoologjik ka bërë të ditur se dy këlyshët do të shfaqen për herë të parë para publikut në javët e ardhshme. Lindja e tyre ka një rëndësi të veçantë për ruajtjen e kësaj specieje. Në natyrë kanë mbetur vetëm disa qindra tigra sumatranë, ndërsa shpyllëzimi dhe humbja e habitatit vazhdojnë të kërcënojnë mbijetesën e tyre.

E.H/Shqiptarja.com