Dy sfidat e Sandër Lleshaj\ Pjesa e parë

Zgjedhjet nuk do të mund t'i pengojë asnjë parti që dëshiron që të kthehet në bandë. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në emisionin "Repolitix" në Report Tv, me moderator gazetarin Denis Minga. Lleshaj tha se zgjedhjet do të mbahen në datën e caktuar, pra më 30 qershor 2019, pasi janë kryeinstitucioni demokratik mbi gjithçka, dhe askush sipas tij nuk mund tu heqë qytetarëve shqiptarë të drejtën për të votuar. Lleshaj po ashtu tha se Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Deklarata vjen në përgjigje të qëndrimit të fortë që ish-kryeministri Sali Berisha bëri në një studio televizive kur tha se "për votën e lirë ja vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të ja ka vlejtur.  PD është në betejë për jetë a vdekje me armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore, ose vdekje"

Ndërkohë, sa i përket grabitjes në aeroportin e Rinasit, ministri tha se autorët e grabitjes do të arrestohen shumë shpejt. Ministri theksoi se do të jenë hetimet që do të përcaktojnë se kush e vrau Admir Muratajn, ndërsa shtoi se nuk beson që ai të jetë ekzekutuar nga bashkëpunëtorët e grabitjes.

Ministri Lleshaj vlerësoi me nota maksimale punën e bërë nga policia për grabitjen në Rinas, ndërsa shtoi edhe një herë se koncensionari dështoi. Dhe në kushtet kur siguria në aeroportin e Rinasit u cënua ministri Lleshaj tha se Policia e Shtetit u detyrua të mos zbatojë më marrëveshjen me koncensionarin, duke marrë në dorë sigurinë e brendshme të aeroportit që deri para grabitjes ishte detyrë e policisë private nga koncensionari.

I pyetur nëse ka grupe mafioze në Shqipëri, Lleshaj thotë se jo duke nënvizuar se vendi ynë ka grupe dhe organizata kriminale, por jo grupe mafioze.

Ministri i Brendshëm iu përgjigj në distancë edhe Presidentit Meta, i cili nuk dekretoi ligjin për vettingun  në Policinë e Shtetit duke thënë se argumentet e tij janë jo ligjorë.

Sa i përket vendimit të Holandës për mocionin e rikthimit të vizave më Shqipërinë, Lleshaj tha se kërkesa e parlamentit të Holandës është edhe vetë kundër qëndrimit që ka qeveria holandeze.

Programe të tjera

Shiko të gjitha