Ekzekutimi i Demir Backës, vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i vrarë në '97! Historia e 'Masakrës së Levanit', ku u vranë 24 persona

24 Tetor 2021, 10:03

Demir (Dem) Backa i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në Fier, ishte vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën, Medi Backa, i njohur si Buc Backa. "Masakra e Levanit" më 28 mars 1997 ishte nga ngjarjet më të përgjakshme e trazirave të vitit 1997 me 24 persona të vrarë, midis tyre një fëmijë 13 vjeç edhe një 17-vjeçar.

Përplasja ndodhi natën midis Bandës së Pusit të Mezinit që kishte influencë në të gjithë jugun e vendit dhe banorëve romë të fshatit Levan në Fier. E gjithë banda u eliminua.

Shumica e tyre kishin qenë të burgosur edhe gjatë regjimit komunist për krime dhe kishte si rivale kryesore Bandën e Çoles të drejtuar nga Zani Çaushi.

E gjitha nisi dy ditë para masakrës, kur në lagjen e romëve në Levan u vranë dy të rinj. Lulëzim Çela dhe Lefter Tushollari u qëlluan në qendër të lagjes, pranë “lokalit të Demos”, në brendësi të një bilardoje. Autorët ishin me maska dhe sapo u futën në bilardo hapën zjarr me breshëri automatikësh mbi dy të rinjtë, duke i lënë të vdekur në vend.

Pas kësaj ngjarjeje 500 familje rome u armatosën në dy reparte ushtarake vetëm 1 kilometër larg nga kjo lagje, kurse gratë dhe fëmijët u larguan të gjithë nga fshati.

Dhe ashtu siç pritej në fshat zbarkuan me makinë disa burra. Ata hynë në lokalin e kryeplakut Demo së bashku me disa romë. Kërkuan armë Demo kishte refuzuar kërkesën, nisi përplasja e përgjakshme me armë.

Në këtë moment romët e tjerë që ishin vendosur në pozicione nisën të gjuajnë në drejtim të lokalit, nga dritaret e të cilit kundërpërgjigjeshin edhe mysafirët. Tre romët e vetëm që gjendeshin në brendësi të lokalit arritën të largoheshin së bashku me Demon e plagosur, nëpërmjet një bunkeri që ndodhej nën lokal. Dy orë shkëmbim zjarri shënoi 24 të vdekur dhe 12 të plagosur.