Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia në Durrës, në pranga dy vrasësit me pagesë! Ranë dakord të kryenin atentatin, por njëri prej tyre u tërhoq pasi u infektua me COVID

17 Qershor 2021, 11:34 | Përditesimi i fundit: 2021-06-17 16:48:57

Dy persona të tjerë janë arrestuar teksa vijojnë hetimet për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës në prill 2020, teksa vendi ndodhej në karantinë nga COVID-19.

Burime për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta, bëjnë me dije se të arrestuarit janë Besian Xhixha dhe Enver Diva, të cilët rezultojnë se janë pajtuar fillimisht nga Nuredin Dumani për të kryer vrasjen e dy vëllezërve.

Xhixha dhe Diva janë personat që pasi kanë studiuar vendin ku do kryhej vrasja dhe dy vëllezërit që ishin objektivi kanë rënë dakord për të marrë pagesën për të kryer vrasjen. Por Enver Divën e ka zënë COVID dhe kështu është shkatërruar plani i bërë për vrasjen e organizuar.

Report Tv mëson se Enver Diva është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Diva është arrestuar më parë për grabitje argjendarie dhe i arratisur nga burgu i Shën Kollit, ku vuante dënimin me 10 vite burg për grabitje me armë, e më pas i arrestuar nga RENEA në 2013.

Arrestimi i dy bashkëpunëtorëve nga Fushë Kruja, u bë me kërkesë të SPAK. Burime nga policia e Durrësit sqaruan se ata janë arrestuar me vendim gjykate dhe janë kryer mbi 10 kontrolle. 

Deri tani në pranga për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia janë vënë 22-vjeçari Klevis Alla si dhe Altin Ndoci të akuzuar si autorë të dyhsuar të vrasjes së dy vëllezërve.

Klevis Alla cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës. Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.

Sakaq në kërkim janë shpallur Talo Çela dhe Nurdein Dumani.  Në rrëfimin e tij, Klevis Alla, tregon se shkak i motivit të vrasjes beson se është bërë një shumë parash, që Talo Çela e kishte vjedhur në grabitjen e famshme të Rinasit. Kjo sasi lekësh e papërcaktuar nga dëshmitari Alla, ishte lënë për ruajtje nga Talo Çela në servisin e dy vëllezërve Haxhia, por më pas sasia e lekëve ishte zhdukur