Emigrantët s' votojnë më 25 prill/ Majko: E bllokoi opozita, kishin frikë se do të quhej fitore e PS-së

1 Prill 2021, 22:07

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko tha se ka qenë bllokimi i akteve nënligjore nga opozita, shkak për mosrealizimin e votës së emigrantëve.

I ftuar në emisionin "Repolitix" në "Report Tv", Majko sqaroi se në janar kanë qenë gati të gjitha rrugët ligjore, dhe se ka patur dy herë diskutime me përfaqësues të opozitës dhe të organizatës të diasporës, por pasi u mendua se çështja u zgjidh dhe do kalonin aktet nënligjore, PD kërkoi 48 orë kohë për përgjigje, por që nuk e ka dhënë një të tillë as sot.

Sipas Majkos, arsyeja e bllokimit nga PD, është fakti që do të konsiderohej arritje e PS, në rast se emigrantët shqiptar do të mund të votonin më 25 prill.

Megjithatë, Majko sqaroi se në fakt bëhej fjalë vetëm për 7 mijë vota, një votim simbolik i emigrantëve, në mënyrë që më pas të fillonte dhe mekanizmi administrativ.