Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 24 Dhjetor 2025 – Receta festive/ Altin Joka në një rrëfim emocional

24 Dhjetor, 16:10 | Përditesimi: 24 Dhjetor, 16:10

Zonja Albana solli dy receta festive plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pulë me kulaç / Sallatë ruse festive.

Në mbyllje të këtij viti, kemi zgjedhur të ndalemi jo vetëm për të bërë bilance profesionale, por për të reflektuar mbi njeriun pas rolit publik. Një ftesë për të njohur Altin Jokën përtej fushës së nutricionit, përtej këshillave, studimeve dhe ekranit. Kush është ai kur hesht, kur nuk këshillon askënd, apo kur nuk pritet të dijë gjithmonë përgjigjen e duhur? Çfarë i ka dhënë ky vit si njeri, çfarë e ka lodhur, çfarë e ka forcuar dhe çfarë dëshiron të lërë pas me hyrjen në një vit të ri? Do të flasim për mësimet personale dhe momentet më të bukura profesionale, për peshën e përgjegjësisë që vjen me të qenit një figurë referimi dhe për ato pjesë të karakterit që publiku nuk i sheh. Për librat që lexohen për shpirtin e jo për profesionin, për besimin tek Zoti si busull e përditshme dhe për pyetjen thelbësore: çfarë po humbet njeriu modern në gjithë këtë rrëmujë ritmesh dhe informacioni? Gjithashtu ndalemi në pasionet që ushqejnë shpirtin – fyellin, këtë instrument të lashtë e pothuaj mistik, që sjell qetësi dhe lidhje të brendshme; dhe këngën polifonike, ku dhimbja, krenaria dhe forca bashkohen në një zë të vetëm. A është muzika terapi për Altin Jokën? A është muzika një formë shërimi? Dhe në fund, jo si profesionist, por si njeri, cili është mesazhi që Joka do t’i linte publikut për jetën dhe kujdesin ndaj vetes.

MC/Shqiptarja.com