'Erdhi dita' i ftuar Liburn Aliu

8 Tetor 2019, 15:22

TIRANË- Heqja e taksës me Serbinë, fillimi i negociatave, por të udhëhequra nga Albin Kurti (nëse zgjidhet si kryeministër) si dhe Bashkimi Kombëtar! Ky është ndryshimi që pritet të ketë në Kosovë, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Një qëndrim i tillë është konfirmuar nga një nga themeluesit e kësaj partie, anëtar në kryesi, Liburn Aliu. I ftuar në "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, Ali teksa hodhi akuza ndaj presidentit Hashim Thaçi se po bën pazare me Serbinë, ai tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë me Albin Kurtin , i cili do të marrë në dorë "frerët e negociatave" nëse zgjidhet si kryeministër,  teksa paralajmëroi se "me Beogradin do të ketë një gjuhë ndryshe". Aliu foli për reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, duke iu përgjigjur vendimeve të tyre në raport me Kosovën në masën e duhur, që nënkupton edhe heqjen taksës së mallrave me Serbinë.