TIRANE-Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin 'Repolitix' deklaroi se shumica është gati që të votojë pa PD-LSI-në ndryshimet në reformën zgjedhore sipas rekomandimeve te OSBE-së, ashtu sikur e kërkon Gjermania për të çelur negociatat, ndërsa në një fazë të dytë që kërkon më shumë kohë është i hapur për të diskutuar edhe për sistemin elektoral.
Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë u shpreh sonte në emisionin 'Repolitix' se edhe opozita i pranon rekomandimet e OSBE-së dhe se nuk ka asnjë mungesë dakordësie, por kërkoi një dialog formal, pasi sipas tij, PD-LSI është opozita e vërtetë përballë Edi Ramës dhe jo ajo në Kuvend. "Reforma zgjedhore nuk është shkaktare kryesore e krizës. Ne mund të miratojmë një kod zgjedhor shumë të mirë, pavarësisht se këto janë ndryshime krejt teknike, mos ta fryjmë...
Ne nuk kemi vërejtje për Kodin. Rekomandimet e OSBE-së? Padiskutim të gjitha...pa diskutim. Për rekomandimet nuk ka asnjë mungesë dakordësie. Kjo është pjesa formale. Patjetër që do të ketë një dakordësi të kësaj opozite, pasi kjo është opozita që do të përballet ne jemi alternativa përballë Ramës në zgjedhje, jo të tjerët, që të mos marrim emra" tha ai.
Ndoka u shpreh se për krimet zgjedhore Rama është po aq fajtor sa Gjiknuri. "Si Damian Gjiknuri si Rama janë njëlloj në përgjime në krimin zgjedhor. Gjiknuri është një hap më para me grupet e zjarrit, ekzekutiv. Nëse pranon largimin e Gjiknurit, Rama e pranon dhe duhet të largohet edhe vetë. Rama po përpiqet të hapë një axhendë demagogjike. Edhe pak ditë na ndajnë nga data 18 Tetor. Ne e konsiderojmë si ngjarjen më të rëndësishme për vendin tonë. Thjeshtë një tabelë qitje tashmë në sytë e ndërkombëtarëve. Kriza është komplekse është një pjesë e saj" tha Ndoka.