'Fenomeni Aldi Rama', familja shqiptare 'ka dalë nga binarët'! Debati në Report Tv, sociologu: Krimi rinor, përmasa alarmante! Avokati: Pas divorcit, disa prindër braktisin fëmijët

1 Tetor 2021, 13:41 | Përditesimi i fundit: 2021-10-01 16:11:39

Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha nga 21-vjeçari Aldi Rama, tronditi shoqërinë, jo vetëm për shkak të krimit të rëndë, por edhe për faktin që kryhej nga një i ri, me një jetë mjaft të trazuar. Dy prindër të divorcuar, që e kishin lënë të rritej me gjyshërit, në varfëri totale, ky ishte rasti i Aldi Ramës, që ktheu vëmendjen te familja shqiptare, që duket se ka humbur rolin e fortë që kishte dikur në shoqëri.

Pikërisht kjo ishte edhe tema e diskutimit sot në emisionin "Sot Live në Shqipëri". Sociologu i njohur Gëzim Tushe tha se familja shqiptare ka dalë nga binarët dhe se alarmante është rritja e krimit rinor, të rinj që nuk hezitojnë t'i futen kësaj 'bote' të errët. Sipas sociologut, prindërit kanë hequr dorë nga prindërimi, duke u bërë më egoistë, e duke i dhënë shoqërisë në këtë mënyrë individë që duket se po e shkatërrojnë atë.