Pas publikimit nga një raporti sekret amerikan se Partia Demokratike është financuar me rreth 500 mijë dollarë nga rusët në vitin 2017, kohë kur kjo parti drejtohej nga Lulzim Basha, ka ardhur edhe reagimi i Sali Berishës. Berisha ka ‘shitur’ menjëherë Lulzim Bashën duke kërkuar që të rihapen urgjent hetimet të cilat sipas tij i mbylli Edi Rama.
‘Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve. Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.’- thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së Rithemelimit.