Sarandë- Zjarri në zonën e Dhivrit ka vazhduar përgjatë natës dhe ditës së sotme.
Orët e natës kanë qenë kritike, pasi flakët kanë rrezikuar shtëpitë, por edhe përhapjen drejt fshatit Memoraq.
Fatmirësisht ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë efikase dhe është arritur të mbrohen shtëpitë.
Gazetari i report Tv, Limos Didani, ka siguruar edhe pamjet e aksionit nga toka dhe ajri me helikopterë, për të shuar vatrën.
Zjarri vijon ditën e sotme drejt fshatit Navarricë, ku rrezikohet djegia e parcelave me ullinj në këtë fshat. Për fikjen e zjarrit përveç zjarrfikësve dhe forcave të ushtrisë, po ndihmon edhe 1 helikopter dhe pritet edhe mbërritja e 2 avionëve ‘Canadair’.
Zjarri i cili vazhdon për të katërtën ditë, rrezikon përhapje edhe drejt fshatrave Leshnicë dhe Dhrovjan të bashkisë Finiq. Bashkia Finiq këtë verë është goditur nga 2 zjarre të fuqishme: zjarri që nisi në Malçan dhe zjarri aktual në Dhivër.















