Flakët përfshinë varrezat, Pjerin Ndreu: Nuk ka vend për panik, zjarri në Rras të Lezhës u shua pa dëme serioze

7 Shtator, 19:00 | Përditesimi: 7 Shtator, 19:00

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka reaguar për situatën e zjarreve në zonën e Ungrejt, duke deklaruar se nuk ka vend për panik, pasi flakët që prekën varrezat në fshatin Rras, sipas tij janë shuar pa shkaktuar dëme serioze.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ndreu tha se zjarri është përballuar prej një jave në një terren tejet të vështirë, ndërsa theksoi se nuk ka pasur dëmtime serioze në banesa apo varreza.

Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e raportimit të situatës, duke akuzuar disa persona se po e përdorin situatën për t’u “ekzaltuar në rrjetet sociale”, ndërsa u bëri thirrje kritikëve që, përpara se të alarmojnë opinionin publik, të japin kontribut në përballimin e situatës.

“Para se të venë kujën, të japin kontribut”, shkruan Ndreu, duke shtuar se situata po menaxhohet nga strukturat në terren.

E.H/Shqiptarja.com