Gazetari Doçi: Meta ka pastruar para si ish kryeprokurori Llalla! Pasuria e tij, sfidë për drejtësinë e re

18 Qershor 2021, 07:31

Gazetari Adriatik Doçi tha se Ilir Meta është nga ata politikanë, i cili e ngriti pasurinë nga hiçi duke pastruar para në mënyrë flagrante dhe nuk ka asnjë bazë justifikuese. Teksa në emisionin Repolitix po diskutohet pasuria e politikanëve, gazetari Doçi tha se Meta ka pastruar para edhe më shumë se Adriatik Llalla, i cili u dënuar dhe iu sekuestruar pasuria.

"Ilir Meta ka pastruar para në mënyrë edhe më flagrante se sa Adriatik Llalla, i cili u dënuar dhe iu sekuestruar pasuria. Është e çuditshme se pse drejtësia ka vepruar vetëm mbi Llallën dhe jo mbi Metën deri më sot. Llalla bleu 25 mijë m2 tokë në rrethina të Tiranë për 160 mijë USD deri në vitin 2017 dhe më pas i rivlerësoi për 1 milion euro. Ky është pastrim parash dhe për këtë u ndëshkua. Llalla në fakt ka ndjekur shembullin e Ilir Metës. Në vitin 2003, Ilir Meta bleu një vilë në Golem për 60 mijë USD, me kredi. Në vitin 2006, këtë vilë e shiti e shiti 300 mijë euro. Dy janë rrugën, ose vilën e ka deklaruar me lirë se çmimi real në 2003 ose i ka rritur vlerën artificialisht në 2006, për të legalizuar para të pista. Nuk ka asnjë mundësi që vlera e një vile të rritet nga 60 mijë USD në 300 mijë euro brenda tre vitesh. Më tej, me këto para të shitjes së vilës, ka blerë apartament 400 mijë euro në Tiranë, duke marrë pjesë tjetër kredi. E dyshimtë është edhe pasuria tjetër, pallati dhe vila në Gjirin e Lalzit", tha gazetari.