Në një konferencë me gazetarët, sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri i pyetur nëse do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, tha se kjo është një kompetencë e kryeministrit Edi Rama. Ai thekson se në Kongresin e 9 prillit do të miratohet statuti i ri i PS-së, ndërsa menjëherë pas mbajtjes së kongresit do të nisë puna për rizgjedhjen e të gjithë kryetarëve të degëve të PS në të gjitha qytetet.
“Një nga pikat e Kongresit do të jetë miratimi i Statutit të ri ku ne përshtatim shumë elementë të karakterit organizativ me ato çfarë kërkon koha me eksperiencat që ne kemi krijuar dhe mbi të gjitha me sfidat që ka Partia Socialiste në mandatin e tretë. Do të synohet rizgjedhja e të gjithë kryetarëve të partive në të gjithë Shqipërinë menjëherë pas Kongresit. Pra, për të rifreskuar të gjithë strukturën e Partisë menjëherë pas Kongresit. Do të thotë se do hyjmë në një proces rinovimi pasi janë plotësuar afatet. Njëkohësisht është momenti që një vit përpara zgjedhjeve vendore, edhe në kuadër të reflektimit të ecurisë së mandatit të tretë, Partia Socialiste të jetë një forcë elektorale fituese siç ka qenë. Një nga synimet e ndryshimit të statutit është pikërisht kjo gjë.
Nga ana tjetër Kongresi do të trajtojë edhe çështje të tjera politike dhe organizative të Partisë Socialiste. Platformën e re digjitale që ne kemi ngritur në komunikim me qytetarët dhe komunikim me anëtarësinë. Ky është një mjet dhe instrument shumë i nevojshëm për sfidat që çdo parti ka sidomos në kontekstin e sotëm përfshirë edhe mediat sociale”, tha Gjiknuri.