Me vendimin e Gjykatës që zbuti afatet e pezullimit dhe i riktheu në Kuvend, opozita iu drejtua këtë të enjte, 7 nëntor, Kuvendit si triumf fitoreje. Gardhi metalik dhe ai i Gardës, ishin hequr dhe deputetët hynë lehtë në seancë, këtë herë pa iu dashur që mes tyre të selektohen për t’iu mbyllur dera të përjashtuarve.
Por, që edhe brenda sallës nuk do të lejonin qetësi, e treguan që në nisje përmes demokratit Dashnor Sula, që kishte ardhur me pranga në duar dhe I veshur si i burgosur me mbishkrimin “Stop Dënimit politik”.
Në nisje të seancës nuk pati përplasje, por debate të forta në përpjekje të opozitarëve për të gjetur meakulpën e socialistëve për përjashtimet sipas tyre të padrejta. E para që u vu në shënjestër të opozitës, ishte Elisa Spiropali, të cilës i kërkuan dorëheqjen.