Hapja e listave/ Topollaj-Sako: Hap pozitiv por minimalist! Mundësi për partitë e reja

15 Korrik 2020, 23:38 | Përditesimi i fundit: 2020-07-15 23:49:06

Hapja e listave dhe si rrjedhojë e saj ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, shihet si një hap minimalist, por pozitiv dhe një mundësi për hyrjen e partive të reja. Kështu u shprehën Fabian Topollaj i Bindjes Demokratike dhe Pano Sako e Nisma Thurje në emisionin "Repolitix" në Report Tv, duke thënë se varësisht e ka një përmirësim, sërish duhet ndryshim sistemi në mënyrë që të mos ketë rrjedhje votash të partive të vogla, të cilat nuk marrin dot një mandat në rang rajonal dhe për rrjedhojë u numërohen partive të mëdha.

'Në marrëveshjen e 5 qershorit janë marrë vesh për të ruajtur status quon, jo për gjëra të tjera. Problemi është se ndryshimi me listat e hapura është shumë minimal dhe ruhet i njëjti sistem aktual. Megjithatë hapja i jep mundësi votuesve të mos zgjedhin vetëm koalicionin por dhe deputetët dhe kjo është shumë pak, shumë minore për demokracinë. Kjo vërtet lidh pak më shumë zgjedhësin me deputetin, por kjo nuk zgjidh barazinë e votës që një parti në çdo rajon merr po themi nga 6 mijë vota dhe nuk merr dot një mandat. Vota është e pakorrigjuar, vota ikën lum nëse nuk prodhon dot mandat brenda rajoneve dhe i marrin partitë e mëdha", tha Topollaj.

Edhe për Nismën Thurje ky është një hap i vogël por pozitiv, por jo ajo çfarë kërkonte, ndryshimi i sistemit. Pano Sako tha listat e hapura janë vetëm gjysma  por që i jep mundësi partive të reja të demokratizohen dhe të hyjnë në garë.

"Ne donim një sistem të ri, kurse ky është një korrektim i sistemit aktual. Ky është një hap i parë i mirë, por jo ajo që duam. Ne kemi nevojë për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Kjo që po ndodh është vetëm gjysma, por është një gjë e mirë, pasi hapet gara dhe partitë politike futen në garë. Ne bëmë të gjithë luftën tonë jo vetëm për të demokratizuar partitë e reja por dhe ata aktuale. Hapja e listave hap garën për partitë e reja pasi nuk është e fokusuar tek sigla e partisë, por tek individi", tha Sako.