I shpëtoi breshërisë së plumbave në Shkodër, Alban Bruçi i arrestuar në 2016 pasi tentoi të vriste një person

25 Gusht 2022, 23:04

Alban Bruçi, i cili i shpëtoi një atentati mbrëmjen e sotme në Shkodër, në ‘lagjen Rus’ pasi drejt makinës me të cilën udhëtonte u qëllua me breshëri plumbash, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.

Ai është arrestuar në vitin 2016, asokohe 19 vjeç, dhe akuzohej se në lagjen “Vojo Kushi” pas teatrit “Migjeni” qëlloi me armë në drejtim të shtetasit me iniciale A.J, i cili po udhëtonte me një automjet. Bruçi u akuzua për vrasje me dashje e mbetur në tentativë.

Ngjarja që terrorizoi banorët e zonës ndodhi më 1 prill të vitit 2016, në afërsi të teatrit “Migjeni” ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes treguan se kishin qenë 2 automjete një me targa italiane dhe automjeti tjetër me targa të huaja. Njëra nga makinat kishte qenë në ecje kur një person ka qëlluar me kallashnikov nga dritarja e pasagjerit në drejtim të automjetit tjetër të parkuar në rrugë ku brenda po qëndronin disa persona të cilët mendohet se i janë përgjigjur me armë. Ndërkohë që tre muaj me vone blutë e Shkodrës kanë zbardhur edhe dinamiken e kësaj ngjarje duke vënë në pranga edhe një tjetër.